Piktori Agim Kadillari u formua si piktor në mesin e viteve 70-të. Ai lindi në qytetin e Shkodrës ku merr dhe mësimet e para për pikturë që fëmijë në studion e Gaspër Zojsit dhe Jakup Kerajt. Në Tiranë, Kadillari pasi kryen Liceun Artistik “Jordan Misja” në klasën e pedagogut Ferit Zela (1968 – 1972), vazhdon studimet e larta për skenografi në Akademinë e Arteve të Bukura (1972 – 76) në Atelienë e Pedagogëve Shaban Hysa, Petro Kukushta dhe Vilson Kilica. Mbas studimeve Kadillari ishte për disa vjet skenograf i Teatrit “Migjeni” në Shkodër (1976 – 1988). Më tej ai do të jetë pedagog i vizatimit në Universitetin “Luigj Gurakuqi” ku vazhdon aktualisht të punojë. Përveç punës si skenograf, ku me kontributin e piktorit Kadillari si skenograf janë realizuar me dhjetra e dhjetra drama, koncerte, komedi e spektakle, piktori ka qenë i pranishëm me veprat e tij në pikturë, në ekspozita e veprimtari vetjake dhe kolektive, duke filluar nga viti 1975. Piktori Agim Kadillari është një piktor realist dhe kryesisht peizazhist. Duke filluar që në bankat e shkollës së mesme, ai tërhiqet nga peizazhistët francezë dhe nga peizazhet e Mios së madh. I dashuruar mbas natyrës Kadillari mbetet besnik i saj duke qenë ndër të paktët piktorë shqiptarë të šplain-air’-it. Në krijimtarinë e tij piktorike 30-vjeçare Kadillari nuk ka “luhatje” stilistike, por gradualisht vërejmë një konsolidim të stilit piktorik, pasurim koloristik dhe një dritë e qetë që herë-herë merr trajtë joreale. Peizazhi i Kadillarit në fazën e parë të krijimtarisë (1976-1990) i mbetet besnik emocionit të natyrës, ai priret ta “imitojë” atë duke qenë mjaft realist në realizimin e detajeve në tablo. Mbas viteve 1990-të penelata e Kadillarit është më e lirshme dhe piktori shpesh preferon që tablotë të kenë dhe gama piktorike të ngrohta e prirje gati impresioniste. Peizazhet e Kadillarit realizohen me imazhe nga periferia e zonës pranë qytetit të Shkodrës dhe nga zona malore e saj. Kryesisht, piktori priret të zbulojë bukuritë natyrore, stinët e natyrës, momente të saj duke shmangur në përgjithësi figurën njerëzore. Piktori Agim Kadillari i mbetet besnik teknikës së vajit. Në veprat e Kadillarit ndjehet një këndvështrim panoramik i peizazhit, ku natyra është mbizotëruese. Për lexuesin e revistës “Monitor” piktori Kadillari ka ofruar 6 vepra, kryesisht peizazhe të ciklit të zonës së Veriut e që i përkasin viteve 1996-2000. Këto vepra mund të jenë pjesë e koleksioneve private që kanë në fondin e tyre peizazhin e zonës veriore të Shqipërisë, por tablotë sigurisht mund të jenë edhe pjesë e ambienteve familjare, kryesisht të rregulluara në mënyrë klasike, pasi përshkohen edhe nga një notë e lehtë poetike dhe dritë e qetë e pa kontraste. Çmimi i veprave të piktorit Agim Kadillari luhaten nga 350-550 euro.
Ylli Drishti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.